Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Kosovë me ç’rast shkroi në Librin e Ngushëllimeve dedikuar viktimave të tragjedisë në Koçan.
“Tragjedia në Koçan të Maqedonisë së Veriut është nga ato ngjarje të rënda kur ne ndjejmë se fjalët nuk shprehin dot përmasat e dhembjes dhe pikëllimit.
Në emër të qytetarëve dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës shpreh ngushëllimet e mia të thella e të sinqerta për familjarët që i kanë humbur më të dashurit e tyre dhe për qytetarët dhe institucionet e Maqedonisë së Veriut”, shkroi Kurti.
Më 16.03.2025, humbën jetën 59 persona në zjarrin e klubit të natës “Puls” në Koçan dhe të paktën 155 të tjerë u plagosën.Për këtë ngjarje janë të dyshuar 23 persona, ndërsa 11 prej tyre ndodhen në paraburgim, teksa autoritetet po vazhdojnë hetimet për këtë ngjarje.
Pas zjarrit vdekjeprurës, Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli të dielën shtatë ditë zie.