Këtë muaj, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Luan Aliu nisi një vizitë në Mbretërinë e Bashkuar, konkretisht në qytetin Sheffield. Në këtë vizitë, ai u shoqërua nga Atashehu i Mbrojtjes në Ambasadën e Kosovës në Londër, Agron Bajrami, ku patën një takim me Sekretarin e Shtetit për Mbrojtje të Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, si dhe me deputetin Alex Sobel.
Gjatë takimit, ata diskutuan për sfidat e përbashkëta dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy vendeve, duke shprehur falënderimin e thellë për mbështetje të vazhdueshme që Britania e Madhe i ka ofruar Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe forcimin e institucioneve.
Aliu tha se sekretari Healey shprehu mirënjohje për rolin aktiv të Kosovës në mbështetje të Ukrainës në luftën kundër agresionit rus, si dhe për qëndrimin e qartë të Kosovës për sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë.
Gjatë qëndrimit disa ditor, Aliu vizitoi gjithashtu qytetet Leeds dhe Rotherham, ku së bashku me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, dhe Besart Selimi nga kabineti i Kryetarit, takuan përfaqësues të komunave dhe investitorë potencial. Në këto takime, u diskutua për realitetin demokratik të Kosovës dhe mundësitë për investime të reja, me fokus në zhvillimin ekonomik të Komunës së Gjilanit.
“Këto takime hapën dyer të reja për partneritete të frytshme dhe ura bashkëpunimi ekonomik dhe institucional midis Britanisë së Madhe dhe Kosovës”, përfundoi ai.


