Policia ka dhënë detaje për arrestimin e A.B (35-vjeçe) nën dyshimin për mashtrim me termine për viza pune në Gjermani.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se hetuesit e Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, mbrëmë (menjëherë pas raportimit të rastit), kanë arrestuar të dyshuarën për mashtrim.
“A.B. femër 35 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, me vendim të prokurorit , është dërguar në mbajtjes për 48 orë, pasi që dyshohet të kenë marrë nga së paku 9 persona, shuma të ndryshme parash, duke ju premtuar termine për viza pune. Lidhur me këtë rast policia ka sekuestruar: disa pasaporta, 2 telefona, shtëpizë kompjuteri, një shumë të parave etj”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, dyshohet se numri i personave të mashtruar mund të jetë më i madh, andaj u bëhet thirrje që qytetarët të cilët mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla, të lajmërohen në stacionin më të afërt.
“Mbështetur në rezultate e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimi mund të ketë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga personat e dyshuar mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar. Andaj, kërkojmë nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për të ndihmuar policinë drejt hetimit përfundimtar”, thuhet në njoftim.


