Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një grua në Prishtinë nën dyshimin se ka mashtruar disa persona për terminë për viza punë ne Gjermani.
Sipas Policisë ajo dyshohet se e ka kryer veprën penale “mashtrim” nga viti 2023 deri tani.
“Lidhur me rastin është identifikuar dhe arrestuar e dyshuara femër kosovare, pasi që e njëjta kishte ushtruar aktivitet pa leje pune dhe e njëjta i kishte mashtruar disa persona për sigurim të terminëve për viza pune në Gjermani”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Në zyrën e saj thuhet se janë sekuestruar dhjetëra pasaporta dhe dokumente të tjera.
“Në konsultim me prokurorin është verifikuar dokumentacioni në zyrën e të dyshuarës si dhe janë sekuestruar dhjetëra pasaporta me dokumente përcjellëse, dy telefona, një shtëpizë kompjuterike, para të gatshme si dhe dëshmi të tjera përmes së cilave dokumentohet aktiviteti i kundërligjshëm”, thuhet tutje në raport.
Pas intervistimit me vendim të prokurorit thuhet se e dyshuara është dërguar në mbajtje.


