Urdhri që i dha Agjencisë Kadastrale kryeministri Albin Kurti, që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që t’ia njohë të drejtën në pronë prej 24 hektarëve, Manastirit të Deçanit, është mirëpritur nga shtetet e QUINT-it.
Në një deklaratë të përbashkët të shteteve të QUINT-it theksohet se ky është një hap i rëndësishëm nga institucionet e Kosovës, në përputhe me aspiratat e saj evropiane dhe euroatlantike.
“Shefat e Misionit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian mirëpresin dhe përgëzojnë veprimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, i cili konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit në disa hektarë të tokës. Drejtimi i Zyrës Qendrore Kadastrale për regjistrimin e kësaj toke në Manastirin e Deçanit dhe sigurimi që ky veprim të ketë përfunduar është një hap i rëndësishëm përra nga autoritetet kosovare, në përputhje me aspiratat e saj evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në njoftim.
“Siç e theksuam majin e kaluar, në përvjetorin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të nevojshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet më tej në njoftim.