Pas propozimit të PDK-së që të formohet komision hetimor për tenderët njëburimorë, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se nuk e kupton pse i janë drejtuar vetëm atij për këtë çështje.
Aliu ka kërkuar që seanca për këtë çështje të shtyhet në një ditë tjetër kur të mblidhet i gjithë kabineti qeveritar aty. Ai ka theksuar se ka “0.8 për qind, nuk mundem me u përgjigj për ta”.
“Kam kënaqësinë të drejtohem para jush edhe pse nuk e di për çka më keni thirrë. Deputetja që e ka thirrur seancën e filloi dhe e përfundoi e përmendi njëherë Ministrinë e Infrastrukturës dhe tha 10 milionë. Me mujt me arsyetu pse më kanë thirrur mu. Në dy shtylla është arsyetuar thirrja e seancës nënshkrimi i kontratave burimore për 2021 dhe për 2023. Është dashur me u thirrë dikush tjetër por më keni thirrur mua. Pse ma drejtoni seancën mua”, ka thënë Aliu.
Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, i është përgjigjur ministrit duke thënë se e ka keqkuptuar pasi seanca s’ka të bëjë vetëm me ministrinë e tij.
“Ministër, ose nuk e ke lexuar materialin ose të kane qit në lajthitje. Ne nuk të kemi thirrur ty në raportim. Nuk ka të bëjë kjo vetëm me ministrinë tënde, por ka të bëjë edhe me ministrinë tënde. E para është Korporata Energjetike e Kosovës”, ka thënë Gashi.