Përfaqësuesit e organizatës “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” kanë dalë në një konferencë për media lidhur me bastisjen në zyrën e tyre afër Stacionit policor në Prishtinë, rreth dhjetë ditë më parë nga Policia e Kosovës për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”.
Përfaqësuesi i saj, Vlladan Trifiq, ka thënë se janë akuzuar pa bazë se zyra e tyre shërbente për spiunazh.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, pati thënë pas bastisjes se kjo organizatë nuk ka respektuar legjislacionin dhe hapësira e saj nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e OJQ-së. Si e tillë, Sveçla pati theksuar se organizata ka ushtruar veprimtari ilegale në mes të tri institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës dhe se kjo “është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit”.
Sipas Trifiqit, kjo qendër ka ofruar ndihmë mjekësore për disa serbë të moshuar që jetojnë në Prishtinë.
E, Darko Dimitrijeviq nga Radio Gorazhdec, është ankuar për bastisjen e Policisë në Gorazhdec ditë më parë. Ai ka thënë me objektet tjera është bastisur edhe redaksia e tij dhe se, siç pretendon ai, i është marrë edhe vetura për t’iu kontrolluar.


