Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca vizitën e tij zyrtare në Estoni e ka nisur me një takim me homologun estonez Lauri Hussar, me të cilin ka diskutuar për situatën politike.
Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Konjufca ka thënë se aleanca e vendeve demokratike është përgjigja e vetme ndaj kërcënimit rus.
“Me z. Lauri Hussar biseduam edhe për situatën politike në vendet tona përkatëse, duke theksuar se përveç interesave ndajmë edhe rrezikun e një Rusie në kërkim të destabilitetit”.
“Aleanca e vendeve demokratike është përgjigjja e vetme ndaj kërcënimit rus, aleatëve dhe satelitëve të saj, ndërsa vendosmëria jonë në vlerat e demokracisë është garancia e palëkundur e të ardhmes së përbashkët të paqes dhe përparimit”, ka shkruar Konjufca.
Tutje, Konjufca ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Estonisë që ka ofruar ndaj Kosovës në aspektin ndërkombëtar dhe sfidat rajonale.
“Z. Hussar më konfirmoi se mbështetja e shtetit estonez do të vazhdojë, e së bashku u pajtuam për nevojën e thellimit të mëtejmë të raporteve tona, përmes shkëmbimit të përvojave parlamentare, investimeve ekonomike, angazhimit për transformime digjitale, bashkëpunimit në lidhje me sfidat e sigurisë dhe në çdo fushë të interesit të përbashkët”.


Përgjatë ditës së sotme, në vazhdë të vizitës zyrtare në Estoni, Konjufca është pritur në takim edhe nga presidenti i Republikës së Estonisë, Alar Karis.
“Presidentin estonez e falënderova për pritjen e ngrohtë dhe i tregova mirënjohje për mbështetjen që shteti estonez ka treguar ndaj Republikës së Kosovës, synimeve tona për integrim në strukturat evropiane apo ndërkombëtare.
Diskutuam për bashkëpunimin e deritanishëm mes nesh, duke ndaluar te nevoja e shqyrtimit të mundësive për të forcuar edhe më tutje raportet mes vendeve tona që ndajnë interesa, vlera dhe qëllime të përbashkët”, ka shkruar Konjufca.
Tutje Konjufca ka shtuar se presidentin Alan Karis e njoftoi me situatën politike në vendin tonë, ku vlen të theksohet se ne mbetemi maksimalisht të përkushtuar ndaj sigurisë, posaçërisht pas sulmit terrorist në Banjskë, me vetëdijen e plotë të rrezikut që influenca ruse në Serbi përbën për rajonin tonë dhe më gjerë.
“Angazhimi për paqen, në kohë si këto, konfirmohet nga gatishmëria për të mbrojtur vlerta tona po aq sa edhe territoret tona, me çdo kusht e me të gjitha mjetet e nevojshme. Kjo është ajo që mbi të gjitha duhet të na sjellë çdo herë e më pranë, gjithnjë e më shumë”.

