Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në takimin ministror të mbajtur sot në Tiranë, kanë nënshkruar vendimin e përbashkët për miratimin e tekstit “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” niveli II, i cili është renditur i pari në listën e fituesve të konkursit për tekstin mësimor për mësimin plotësues në diasporë dhe në mërgatë.
Ministrja Arbërie Nagavci me rastin e nënshkrimit të vendimit të Komisioni të Përbashkët ka thënë se, miratimi i tekstit mësimor për Diasporën, “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” për nivelin II është me rëndësi jetike për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe në të gjitha vendet e botës, ku jetojnë dhe veprojnë bashkëkombasit tanë.
Ministrja Nagavci ka thënë se ky vendim është hapi i radhës në vazhdën e gjatë të bashkëpunimit të ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e arsimit, ndërsa përmendi politikat shtetërore të Qeverisë së Kosovës në mbështetje të mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë dhe marrëveshjet e nënshkruara mes Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, për zhvillimin e arsimit shqip në diasporë.
Ndër të tjera, Nagavci ka folur për bashkëfinancimin e 16 projekteve të përbashkëta të hulumtuesve nga Kosova dhe Shqipëria, realizimin e projektit madhor në Albanologji “Enciklopedia Shqiptare”, njohjen dhe njehësimin e diplomave të studentëve në dy anët e kufirit dhe projekte të tjera të përbashkëta, të cilat kanë dalë nga marrëveshjet ndërshtetërore Kosovë-Shqipëri.
Ministrja Nagavci ka theksuar se, vetëm duke punuar së bashku mund t’i japim shkëndijën e duhur potencialit tonë të plotë dhe atij të diasporës sonë, e që Kosova po e dëshmon këtë përkushtim me avancimin e vlerave shoqërore dhe bashkëpunimin me bazë të gjerë në interes të zhvillimit të arsimit shqip.
Komisioni i Përbashkët i Shqipërisë dhe i Kosovës për miratimin e Teksteve mësimore për Diasporën, deri tani ka finalizuar tekstin mësimor për nivelin I, niveli II, dhe së shpejti do të shpallet konkursi për tekstin e nivelit III.


