Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e ka pranuar ftesën e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për një takim të premten, për të diskutuar për formimin e institucioneve. Hamza ka thënë se përgjigjja e tij ka qenë për takim në orën 9.
Hamza ka thënë para mediave, pas takimit të Kryesisë së PDK-së, se kjo parti e ka më me prioritet adresimin e sfidave të Kosovës sesa ndarjen e posteve.
“Unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme dhe institucionale. Nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se të flasim për pozitat e kam thënë dhe e ripërsëris është tepër e rëndësishme prioritetet, vizioni për të ardhmen, programi, adresimi i sfidave të cilat i ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i PDK-së të ketë një numër të caktuar të ministrive, të ketë një kryetar kuvendi, presidentin apo sidoqoftë”, ka deklaruar ai. “Ftesa duhet të dërgohet në mënyrën se si e kërkon rendi që të dërgohet nga kryetari i partisë me numrin më të madh të ulëseve të siguruara në Kuvendin e Kosovës dhe të mbahet në objektet e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Ndërkohë në një komunikatë për media, PDK-ja ka njoftuar se kryesia e saj ka vendosur që çdo iniciativë që synon funksionalizimin e institucioneve “meriton të dëgjohet dhe të vlerësohet me përgjegjësi, prandaj kryetari Bedri Hamza do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në takimin e nesërm, që të dëgjojë se çfarë zgjidhjeje konkrete ofron z. Kurti për tejkalimin e krizës institucionale”.
“PDK rithekson se përgjegjësia kushtetuese dhe politike për formimin e institucioneve i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhje. Për këtë arsye, pret që z. Kurti të paraqesë planin e tij për krijimin e institucioneve dhe sigurimin e shumicës së nevojshme. Çdo zhvillim i mëtejmë do të varet nga serioziteti i këtij procesi, respektimi i rendit kushtetues dhe gatishmëria për të ofruar zgjidhje konkrete në interes të Republikës së Kosovës dhe jo nga kalkulimet politike apo përpjekjet për ta shpërndarë përgjegjësinë te opozita”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Më herët gjatë ditës, kryeministri në detyrë njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ftoi në takim pos Hamzës edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe atë të Aleancës, Ardian Gjini, për të diskutuar për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit në ditën kur ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Sot (e enjte) ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit deri më 7 gusht.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.
Konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e qeverisë nuk do të jenë problem për Vetëvendosjen, pasi ka fituar 53 mandate dhe nevojiten 61 vota që edhe sipas deklarimeve të zyrtarëve të saj i ka, duke llogaritur në votat e deputetëve të pakicave, pa përfshirë ata të Listës Serbe.
E për presidentin duhen 80 vota, e që nënkupton se nevojitet edhe pjesëmarrja e PDK-së ose LDK-së.
Presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit.


