Qeveria e Kosovës e ka miratuar rregulloren e re për masat disiplinuese ndaj nëpunësve civilë, e cila parasheh edhe ndalesa deri në 50 për qind të pagës bazë nëse konstatohen shkelje të detyrave dhe përgjegjësive. Veç kësaj, me rregulloren e re shkeljet e nëpunësve të kategorisë së lartë do të trajtohen edhe nga ekspertë të jashtëm, të cilët parashihen të jenë pjesë e komisioneve disiplinore nëpër institucione
Njëzet deri në pesëdhjetë për qind e pagës bazë për një periudhë deri në gjashtë muaj është masa që mund t’u shqiptohet shërbyesve civilë, sipas një rregulloreje të re të miratuar nga Qeveria e Kosovës.
Krahasuar me dokumentin paraprak që rregullonte këtë çështje, ndryshimet janë të shumta dhe ato nisin që nga emri i dokumentit. Nga “Rregullore për Disiplinën dhe Ankesat e Zyrtarëve Publikë” tani është reduktuar në vetëm “Rregullore për Disiplinën e Nëpunësve Civilë”.
Shkeljet janë kategorizuar në të lehta dhe të rënda. Mes shkeljeve të rënda përmendet edhe shpërndarja e informacioneve që mund ta vënë në lajthitje institucionin.
“Shkelje të rënda konsiderohen: 3.1. mospërmbushja e detyrave të punës; 3.2. neglizhencë e vazhdueshme në përmbushje të detyrave të punës; 3.3. mosrespektimi i afateve të caktuara për përmbushjen e detyrave të punës; 3.4. moszbatimi i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale; 4 /12 3.5. veprimet apo mosveprimet që kanë shkaktuar pasoja; 3.6. shkelja e rregullave të përcaktuara në kodin e etikës; 3.7. sjellje e papërshtatshme që dëmton reputacionin e shërbimit civil; 3.8. vënia në lajthitje e organit publik përmes dhënies së informatave të gabuara ose fshehja e të dhënave zyrtare kur kërkohen për qëllime zyrtare”, shkruan në rregulloren e cila u miratua në mbledhjen e 24 janarit”, thuhet në rregullore.
Ndryshe prej rregullores paraprake, neni 15 specifikon edhe dënimet që mund t’u shqiptohen nëpunësve.
“Masat disiplinore, të cilat mund të shqiptohen ndaj nëpunësit civil për shkelje të rënda janë: 3.1. ndalimi nga njëzet për qind (20%) deri në pesëdhjetë (50%) e pagës bazë për një periudhë deri në gjashtë (6) muaj; 3.2. ndalimi i avancimit/emërimit në kategori më të lartë, për një periudhë nga një (1) deri në pesë (5) vite; 3.3. transferimi në pozitë të ngjashme në klasë dhe kategori të njëjtë; 3.4. ulja në pozitë; 3.5. pezullimi nga pozita pa pagesë deri në gjashtë (6) muaj; 3.6. pezullimi nga pozita me ndalim deri në pesëdhjetë për qind (50%) të pagës bazë, deri në një (1) vit; 3.7. largimi nga shërbimi civil”, thuhet në rregullore.
E shkeljet do të trajtohen jo vetëm nga instancat e institucionit që i takon shërbyesi civil. Qeveria ka paraparë edhe punësimin e ekspertëve të jashtëm, të cilët do të jenë pjesë e komisioneve disiplinore për nëpunësit e kategorisë së lartë drejtuese.
“Anëtari i jashtëm përzgjidhet nga ministri përgjegjës për administratën publike në bazë të një procedure transparente, publike dhe konkurruese, përmes shpalljes publike. 5. Në institucionin tjetër shtetëror titullari i institucionit e themelon ad hoc Komisionin disiplinor për nivelin e lartë drejtues me përbërjen si në vijim: 5.1. tre (3) nëpunës të kategorisë së lartë drejtuese; 5.2. dy (2) ekspertë të jashtëm. 6. Anëtarët e jashtëm që emërohen nga titullari i institucionit tjetër shtetëror sipas nënparagrafit 5.2 të paragrafit 2 të këtij neni, përzgjidhen në bazë të një procedure transparente, publike dhe konkurruese, përmes shpalljes publike”, thuhet në rregullore.
Lidhur me rregulloren e re, KOHA ka kontaktuar kryetarin e Sindikatës së Shërbyesve Civilë të Kosovës, Mursel Zymberi. Por ai tha se për çështjen do të deklarohen pasi ta analizojnë dokumentin.
Kjo Rregullore nuk zbatohet për Presidencën, Gjykatën Kushtetuese, Sistemin e Drejtësisë, Kuvendin dhe institucionet e pavarura kushtetuese./koha.net


