Ndonëse pa liderin e tyre, tashmë në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit, deputetët demokratë vijuan të pengojnë punimet normale në seancën e kuvendit.
Ndonëse, jo me të njëjtin intensitet aksioni, deputetët opozitarë bllokuan foltoren e Kuvendit, me pankarta në duar, në disa prej të cilave shkruhej “Vrasës i pluralizmit”, “McGonigal në burg, edhe Rama duhet të shkojë”, etj.
Kështu ka përfunduar seanca plenare e cila që në fillim është karakterizuar nga protesta e opozitës, e reflektuar me bilbila dhe pankarta.
Seanca plenare zgjati më pak se 15 minuta.
Opozita ka vendosur të bllokojë punimet e Kuvendit, pasi sipas saj mazhoranca i ka pamundësuar ngritjen e komisioneve parlamentare dhe nuk pranon zëvendësimin e anëtarëve të komisionit të reformës zgjedhore.
Opozita e ka bërë të qartë që nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, protesta e tyre do të vijojë. Mbetet për të parë nëse do përdoren sërish flakadanë, ku me rregulloren e re dënimi është 60 ditë përjashtim nga Kuvendi







