Shërbimi i kërkim-shpëtimit malor në Kosovë u ka bërë thirrje të gjithë bjeshkatarëve dhe skitarëve që të kenë kujdes në viset malore pas reshjeve të borës.
Në reagimin e tyre thuhet se këtë fundjavë sipas parashikimeve sinoptike priten reshje bore në veçanti në viset malore për çka duhet të ketë kujdes gjatë skijimit apo ngjitjeve bjeshkatare.
“Këtë fundjavë sipas parashikimeve sinoptike pritet të kemi të rreshura bore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, e sidomos në viset malore. Të reshurat do të jenë të dendura dhe të përcjellura me erëra të fuqishme veriore. Andaj të keni kujdes gjatë skijimit (jashtë shtigjeve të rregulluara) apo ngjitjeve bjeshkatare në sipërfaqet e pjerrëta malore nga 30°~50° , e sidomos në shtigjet apo kalimet e ekspozuara”.
“Pas reshjeve të borës pritni për 48 orë të tranzicionit të shtresave të borës. Mos skijoni/ngjiteni të vetmuar. Planifikoni itinerarin me kujdes dhe njoftoni të tjerët për atë. Kujdes gjatë skijimit në pyje, gropat e drunjve janë të rrezikshme dhe vdekjeprurëse”.
Mes tjerash, kanë listuar edhe pajisjet obligative për siguri duke bërë thirrje që për çdo urgjencë të kontaktojnë policinë.
“Nëse zhvilloni aktivitete të ski-bjeshkatarisë doemos posedoni pajisjet obligative për siguri: Transmetuesin, lopatën, sondën, çantën e ndihmës së parë, helmetën, kazmën, kthetrat, veshmbathje adekuate dimërore, telefonin e karikuar, llampë dhe të gjitha pajisjet e tjera të nevojshme. Për çdo urgjencë kontaktoni në numrat: 112 dhe 049 84 02 28”, thuhet në njoftim.



