Përfaqësues të ndërmarrjes publike “Termokos” kanë vizituar Termocentralin “Kosova B”, ku me drejtuesit e KEK-ut janë dakorduar për vazhdimin e bashkëpunimit.
“Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që kultivojnë dy ndërmarrjet për më shumë se një dekadë, sidomos që nga realizimi i projektit të kogjenerimit, i cili i ka hapur rrugë realizimit të shumë projekteve tjera deri më tani dhe atyre, që janë në proces realizimi”, njofton Termokos.
Sipas njoftimit, ka qenë një vlerësim i përbashkët i nivelit më të lartë udhëheqës të NP “Termokos” dhe KEK-ut se pa një bashkëpunim të mirë do të ishte i pamundur furnizimi me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për rreth 30 mijë konsumatorë.
“Bashkëpunimi i frytshëm, që do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti për realizimin e projekteve tjera kapitale në fushën e energjisë termike, është një garancë për suksesin e këtyre projekteve”, thuhet tutje në njoftim.


