Përfaqësues të mediave në gjuhën shqipe nga Lugina e Preshevës kanë shprehur shqetësim për diskriminim e shqiptarëve dhe situatës së paqëndrueshme e diskriminuese ndaj mediave shqipe në Luginë.
Shqetësimin e kanë shprehur në një takim që kanë pasur të enjten në Qeverinë e Kosovës, me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
“Përfaqësuesit e mediave të Luginës shprehën shqetësime serioze në lidhje me diskriminimin ndaj shqiptarëve dhe, në veçanti, situatën e paqëndrueshme dhe diskriminuese ndaj mediave shqipe në Luginë. Edhe pse përcaktimet ligjore duhet të sigurojnë qasje të barabartë për mediat në gjuhën shqipe në Serbi, ato ende përballen me pengesa dhe vështirësi kur tentojnë të përfitojnë edhe nga mbështetja financiare, e nevojshme për të plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme. Nevoja për qëndrueshmëri financiare është një çështje kyçe për bashkëpunim, rritjen e profesionalizmit dhe cilësisë së informimit shqip në Luginë, duke respektuar parimet e gazetarisë së pavarur dhe etikën profesionale”, thuhet në njoftim të Qeverisë.
Sipas njoftimit, Bislimi ka njoftuar përfaqësuesit e mediave rreth mundësive të bashkëfinancimit nga Kosova për Luginën. Gjithashtu ka thënë se Qeveria është e përkushtuar ta mbështesë e kontribuojë pozitivisht në përmirësimin e situatës në Preshevë.


