Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë të shtunë në Herceg Nov, ku 3 të rinj shqiptarë u dhunuan pa arsye nga 8 persona me veshje ushtarake.
Përmes një njoftimi postimi në facebook, ambasada ka bërë me dije se që në momentin e parë që është informuar në lidhje me rastin, ka marrë në mbrojtje të rinjtë dhe po u ofron çdo shërbim të nevojshëm.
Ambasada bën me dije se të rinjtë shqiptarë, kanë denoncuar në policinë malazez rastin dhe po vijojnë hetimet.
“Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi po ndjek nga afër ngjarjen e pasdites së sotme, ku tre shtetas shqiptarë janë dhunuar në zonën e Zelenika-s, pranë qytetit Herceg Novi.
Që prej momentit të parë kur jemi njoftuar, jemi vënë në kontakt me shtetasit, i kemi marrë në mbrojtje dhe po i ofrojmë çdo shërbim të nevojshëm, përfshirë edhe atë ligjor.
Një përfaqësues i ambasadës ka udhëtuar drejt zonës, ndërsa kemi kërkuar nga policia dhe autoritetet ligjzbatuese zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve.
Shtetasit shqiptarë të asistuar nga ambasada kanë bërë denoncimin pranë autoriteteve policore malazeze”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Tre shqiptarë rrahen barbarisht nga persona me uniformë ushtarake në Malin e Zi
Tre të rinj shqiptarë që ishin nisur për në Gjermani janë rrahur në mënyrë barbare në Mal të Zi.
Sapo kanë zbritur nga trageti në Kotorr, shqiptarët raportohet se janë dhunuar nga 8 persona civilë të veshur me veshje ushtarake.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 të kësaj të shtune. Sipas informacioneve paraprake ata janë goditur barbarisht me grushte e shkelma nga persona ende të paidentifikuar.
Njëri prej tyre ndodhet në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe për momentin po merr ndihmë mjekësore në urgjencën e spitalit në Mal të Zi.
Shqiptarët nuk kanë shkëmbyer asnjë fjalë me personat që i kane nxjerrë me forcë nga makina dhe dhunuar, prandaj nuk dihet nacionaliteti i tyre.
Të afërmit e tyre kanë kërkuar ndihmë nga policia shqiptare, shkruan EuronewsAlbania.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Mal të Zi, Ministria e Brendshme ka njoftuar se ka ministri Balla ka marrë kontakt me ministra të Qeverise së Malit te Zi dhe ka kërkuar informacion lidhur me këtë ngjarje të ndodhur Herceg Novi.


