Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në Facebook për 80-vjetorin e Rezolutës së Konferencës së Bujanit. Kurti shkroi për rëndësinë e kësaj konference historike, për trashëgiminë politike të saj, dhe për subjektivitetin e pavarur politik të Kosovës dhe të drejtën për vetëvendosje sipas vullnetit politik të popullit.
“Në fshatin Bujan në Malësi të Gjakovës, në kullën e Sali Manit, Bajraktarit të Krasniqes, po merrej një nga vendimet më të rëndësishme për fatin politik të shqiptarëve (jo vetëm) të Kosovës në shekullin e XX. Ishte dita e tretë e Konferencës së Bujanit, që i kishte hapur punimet më 31 dhjetor 1943, në ora 19:00. Nga 61 delegatët e ftuar në konferencë, 49 delegatë kishin arritur të shkonin në Bujan, nëpër rrugët e siguruara nga Ismet Shaqiri dhe ku u ushqyen me furnizimet e siguruara nga Sahit Bakalli. Shpenzimet e konferencës i kishte marrë përsipër një tregtar nga Shkodra, Tefik Çanga, që kishte shërbyer edhe si prefekt i Ferizajit”.


