Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk ka kuptim të thuhet se draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është çështje e brendshme e Kosovës kur kjo temë është diskutuar në Bruksel.
Ai i është përgjigjur emisarit evropian për dialog, Miroslav Lajçak, i cili e ka bërë një deklaratë të tillë.
Kurti në konferencë për media të mërkurën ka theksuar se ai ishte i gatshëm për nënshkrim në Bruksel, e se ndërkombëtarët e humbën shansën më 26 tetor dhe ata duhet të pyeten pse.
“Ajo ishte një shancë e madhe. Ata që në Bashkimin Europian ishin shumë të interesuar, për shembull, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përkatësisht për draft-statutin e propozuar, e patën shansin. Presidenti i Serbisë që vazhdimisht e përmend Asociacionin, e pati shansin. Por nuk u bë për mungesë të gatishmërisë sime, andaj nuk ka kuptim të vazhdoni të më pyesni mua edhe më shumë. Pra, duhet të pyeten ata atje pse e humbën atë shans aq të mirë. Unë që isha i gatshëm për nënshkrim, tash a jam serioz? Po ku ka më serioz sesa të thuash eja nënshkruajmë sonte. Më seriozitet se kaq në marrëdhënie ndërkombëtare dhe për marrëveshje ndërkombëtare, nuk ka. Aty joserioziteti i doli palës serbe, që nuk nënshkruan”, tha kryeministri.
Tutje ka shtuar se BE-ja duhet të merret me letrën e Bërnabiqit ku thuhet se Serbia nuk do ta zbatojë Marrëveshjen e Brukselit.
“Me atë letër duhet të merremi… çka duhet të bëjmë me atë letër. Në dosjen e Brukselit ajo letër është pengesë kapitale. Le ta trajtojnë atë letër se pa u tërheq ajo letër nuk bëhet tërheqja nga zbatimi për marrëveshjen bazike. Më 18 mars unë kam propozu me shku draftstatutin por na u tha jo. E tash përveç letrës së Bernabiqit ka edhe një qëndrim të ri që duhet adresuar që draftstatuti na qenka çështje e brendshme e Kosovës. Atëherë pse e kemi përmendur në tryezën e bisedimeve në Bruksel. Pse e ngritni këtë në Bruksel. S’po e flasim në Bruksel, një temë më pak, po ecim përpara. Unë nuk mundem të bëjë më shumë se sa të nënshkruaj”, ka thënë mes tjerash kryeministri Kurti.