Në Kuvendin e Shqipërisë vazhduan replikat për çështjen e Kosovës, me akuza e kundërakuza mes mazhorancës dhe opozitës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu kundërpërgjigj kryeministri Edi Rama duke i thënë se “kur ky shiste ikona të vjedhura në Paris, në Kosovë derdhej gjaku i të rinjve”.
Paraprakisht, Rama akuzoi PD-në se “historia do të tregojë se ju patriotët e mëdhenj jeni në fakt thika në shpinën e Kosovës” dhe që raportit të Dick Martyt ia ka hapur rrugën kjo parti në Këshillin e Evropës në vitin 2011.
“Çështja e Dick Martyt, një mashtrues del këtu e përpiqet të bëhet patriot me këtë rezolutë. U kujtoj shqiptarëve se në shtator 2011, në sallën më prestigjoze të planetit, atë të OKB-së, kam denoncuar raportin e Dick Martyt. Ato që shkruhen në raport janë shpifje, citoj fjalën time. Nuk i marr të gjithë socialistët, njoh kontributin e disave prej tyre, por nuk harrohet kur shefat e kësaj partie thoshin që do vijnë rambot e Amerikës ta shpëtojnë Kosovën. Kur ky shiste ikona të vjedhura në Paris, në Kosovë derdhej gjaku i të rinjve. Nuk është e vërtetë që është votuar në KiE. Është votuar rezoluta, në të cilën nuk ka asnjë fjalë, as për organe, as për Shtëpinë e Verdhë. Unë këtë rezolutë e mbështes, por ata vetë duhet ta hidhnin Martyn në gjykatë, padi civile për shpifje”, ka thënë Berisha, i cili mbante në dorë telefonin me një foto të tij me Hashim Thaçin në vitin 1998, ndërsa i kërkoi edhe Ramës nëse kishte një foto të tillë.
Kurse kryeministri Edi Rama gjatë diskutimeve për projektrezolutën akuzoi ish-presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha, se ka furnizuar me naftë Sllobodan Millosheviçin gjatë kohës së luftës në Kosovë.
“Historia tregon që ju e furnizuat Sllobodan Millosheviçin, ju, nuk e ka furnizuar Partia Socialiste. A ka ikur ajo? Ajo nuk ikën kurrë sepse historia nuk ikën kurrë, të del përpara. E pe si të del përpara historia? Mblidhet e mblidhet dhe del dhe thotë se je i padëshirueshëm, non grata. Mbaroi historia jote, ik tani. Se vjen historia përpara, mblidhen gjërat. Çoji naftë Millos atje, çohu këtej dhe bëje Hashim Thaçin dhe UÇK terrorist marksist-leninist terrorist dhe kush i bën? Ne emër të kujt? Dil këtej nga ana tjetër dhe bëj çorapin çorap, futu andej dhe kthehej Shqipërinë në pronë private edhe vjen historia përpara dhe thotë ‘prit mor vëlla, se ti je i fortë shumë , o bajraktar po historia është më e fortë se ty’ dhe ja si vjen”, tha Rama.


