Policia e Kosovës (PK) njofton se në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në brezin kufitar në mes të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.
“Me datën 13.12.2023 njësitë Task Forcë – Lindje, së bashku me njësitë nga Dogana e Kosovës, kanë identifikuar një automjet të dyshuar me targa vendore, i cili dyshohet se përmes rrugëve malore nga RMV ishte duke sjellë mallra të kontrabanduara në drejtim të Gjilanit”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, automjeti i dyshuar është përcjellë nga njësitë e lartcekura deri tek automjeti i dytë i përfshirë në rast, i cili po priste ta pranonte mallin e lartcekur.
“Gjatë kontrollit të realizuar në automjet është gjetur tekstil në disa thasë, kryesisht veshmbathje të ndryshme, në sasi prej gjithësej 617 copë, ku vlera e përgjithshme e mallit sipas tregut kap shifrat rreth 7000 euro (shtatë mijë euro)”, thuhet më tej.
Bëhet e ditur se lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, me vendim të së cilit malli së bashku me automjetin dërgohen në terminalin doganor ‘Dheu i Bardhë’, ndërsa tre personat e dyshuar të përfshirë në rast janë liruar në procedurë të rregullt.





