Me 50 minuta vonesë ka filluar seanca plenare për shqyrtim të dytë të Projektligjit për buxhetin 2024, i cili pritet të jetë rreth 3.3 miliardë euro.
Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja ka paraqitur para deputetëve raportin e Komisionit me 64 amendamentet e propozuara kryesisht nga deputetët e opozitës, e të cilat nuk kanë marrë përkrahjen e Komisionit.
Ndërkohë Komisioni ka propozuar që koeficienti i pagës për punonjësit e sektorit publik për 2024 të jetë 115 euro, e jo 110 siç është paraparë në buxhet.
“Komisioni për buxhet i ka trajtuar të gjitha amendamentet e deputetëve nga komisionet tjera. I rekomandojmë deputetëve që ky ligj të miratohet dhe seanca të vendos për amendamentet e propozuara nga secili deputet”, ka thënë Muja.
Hykmete Bajrami në cilësinë e përfaqësueses së LDK-së, ka thënë se është dashur që ky projektbuxhet të shkoj në lexim të tretë.
“Në mes të dates 31 tetor kur Qeveria e Kosovës e ka përcjellë Ligjin e draftbuxhetit në Kuvendin e Kosovës dhe ditën kur po e lexojmë sot kanë ndodhur disa gjëra, e ne mendojmë që Qeveria është dashur të reflektojë dhe në fakt ta tërheq ligjin dhe ta kthej për një rialokim komplet tjetër ose të shkoj ky ligj nga sot në lexim të tretë”, ka deklaruar Bajrami.
Bajrami ka përmendur rezultatet e PISA-s, duke pasur kritika për Ministrinë e Arsimit, e duke kërkuar ngritjen e pagave për mësimdhënësit.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka cilësuar Projektbuxhetin e vitit 2024 si dokument të një partie.
“Nuk është grupi parlamentar i VV-së dhe Kuvendi i Kosovës, i cili e mbikëqyr punën e Qeverisë dhe jep udhëzime, mirëpo është qeveria që në emër të votës së tyre përcakton dhe bën çka të dojë. Ky ligj i ka 64 amendamente, nga to asnjë s’do të miratohet, pra jemi duke folur për një dokument puro politik”, ka deklaruar Tahiri.



