Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe drejtoresha ekzekutive e DokuFest, Linda Llulla Gash,i nënshkruan sot Memorandum Bashkëpunimi, i cili ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit në mes të MAShTI dhe DokuFest, në fushën e edukimit mediatik në shkolla, respektivisht në shkollat e ciklit të mesëm të ulët.
Përmes përdorimit të platformës digjitale dedikuar për mësimdhënësit, palët synojnë të nxisin dhe mbështesin mësimdhënësit në përdorimin e mjeteve audiovizuale në planifikimin dhe zhvillimin e procesit edukativ-mësimor.
Ministrja e Arbërie Nagavci me këtë rast ka thënë se, Ministria e Arsimit po i kushton vëmendje edukimit mediatik në shkolla dhe e njejta tashmë është edhe pjësë e listës propozuese për lëndët me zgjedhje, që është deleguar tek DKA-të, qysh në maj të këtij viti.
Përfaqësuesit e DokuFest bënë të ditur se janë duke e ridizajnuar platformën virtuale Biblioteka Digjitale e Mësimdhënësit, e cila parashihet që të ofrojë filma të shkurtër dokumentar, kryesisht me tema shoqërore dhe të drejtave të njeriut.
Ky Memorandum parasheh zhvillimin e programeve alternative dhe moderne të mësimdhënies dhe të nxënit përmes gërshetimit të artit dhe të mediave, duke i aftësuar nxënësit të krijojnë dhe prodhojnë materiale mediatike, prototipe lajmesh dhe të revistave shkollore digjitale.
Mes tjerash ky Memorandum do të kontribuojë në zhvillimin e shkathtësive digjitale të nxënësve në shkolla të mesme të ulëta, përmes programeve të edukimit mediatik, që zhvillojnë mendimin kritik dhe atë analitik, nxisin kreativitetin dhe fuqizojnë aftësitë e komunikimit, pjesëmarrjen aktive të mësimdhënësve në krijimin e materialeve didaktike për përdorimin e filmit dokumentar dhe mjeteve tjera audiovizive në procesin mësimor, funksionalizimin e forumeve të pavarura të mësimdhënësve dhe nxënësve, në veçanti për rëndësinë e edukimit mediatik, përfshirjen sociale dhe edukative të të gjitha komuniteteve përmes artit vizual, filmit dokumentar dhe animacioneve.
Po ashtu palët u dakorduan që do të mbeten gjithë kohës në komunikim, për të adresuar nevojat ad-hoc për zbatim të memorandumit dhe në pjesën e monitorimit të zbatimit të aktiviteteve.



