Gjykata Themelore Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj gjashtë të pandehurve, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Blerja, pranim ose fshehje të sendeve të përfituara me kryerje të veprës penale si dhe; Falsifikimi të parasë dhe Shpëlarje të parave”.
Sipas njoftimit për media, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurve B.A, SH.A dhe A.A, të tre nga Shkupi i Republikës së Maqedonisë së Veriut si dhe S.R, M.K dhe H.D nga fshati Paldenicë i Hanit të Elezit.
Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve, prandaj të njëjtëve iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për secilin.
“Të pandehurve B.A,SH.A, A.A, S.R, M.K dhe H.D iu është caktuar masa e paraburgimit në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 nën paragrafi 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 e nën paragrafi 1.3 të KPPRK-së, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale, Falsifikimi i parasë dhe Shpëlarje e parave”, njofton Gjykata.
Kujtojmë se një ditë më parë policia e Kosovë ka arrestuar 6 persona, pjesë e një grupi që shpërndau dhe futi në treg para të falsifikuara, të cilat dyshohen se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën. Nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga 2 euro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010.00) euro.


