Policia e Kosovës njofton se është arrestuar një person në Prishtinë, nën dyshimin se kishte porositur substanca narkotike në SHBA dhe pakoja kishte arritur në zyrat doganore për zhdoganim.
Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të mërkurën, rreth orës 09:30 dhe është iniciuar si “Posedim i narkotikëve”.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti kishte porositur në ShBA një pako me substancë të dyshuar narkotike dhe e njëjta pako kishte arritur në zyrat doganore për zhdoganim. Njësitet policore gjatë kontrollit në brendi të pakos kanë gjetur e konfiskuar 160 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Me urdhër të prokurorit është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit, por nuk është gjetur asgjë e dyshuar”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se i dyshuari pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.


