Në kuadër të vizitave që zhvilloi në komunën e Pejës, kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nga Peja, Fatmire Kollçaku dhe Gramos Agusholli, ndalesën e radhës e pati në një kompani në Pejë.
Kompania në fjalë është përfituese e masës 2.1 për subvencionimin e kredive investuese, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, dhe ka të angazhuar një punëtor përmes platformës SuperPuna.
Kryeministri Kurti veçoi se kjo kompani, që lëndën e parë e merr nga Gjermania dhe Turqia, krahas prodhimit të tyre për tregun vendor, ka një vit që po eksporton edhe në vendet e Evropës Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë këtu Gjermaninë, Zvicrën, si dhe Austrinë.
Teksa i shprehu mirënjohje pronarit të fabrikës, për kontributin në zhvillimin e ekonomisë së vendit, Kurti tha se Qeveria e Kosovës do të jetë përherë pranë tyre për t’u ndihmuar dhe mbështetur, sepse paraprakisht janë ata që e ndihmojnë shoqërinë e Kosovës me punësimin e të rinjve.
Po ashtu, ai shtoi se me prodhimet që i kanë si ato që i shesin në tregun kosovar, edhe ato për eksport, kontribuojnë si në ekonominë e vendit ashtu edhe në buxhetin e shtetit me tatimet që paguajnë.
Ndërkaq, ministri Murati tha se është kënaqësi të kemi ndërmarrës të zellshëm të cilëve iu duhet vetëm një shtysë nga Qeveria që të arrijmë këto rezultate dhe suksese, deri te zgjerimi i kapacitetit prodhues.
Ai potencoi se i kanë mbështetur bizneset dhe janë siguruar që gjatë këtyre dy viteve të kenë edhe çmime të përballueshme të energjisë elektrike, duke mbajtur çmimin më të lirë të energjisë elektrike në Evropë.
Kryeministri Kurti dhe ministri Murati e falënderuan përfaqësuesit e kompanisë si dhe të gjithë stafin për mikpritjen dhe i uruan atyre suksese të vazhdueshme.


