Pas aksioneve të shumta për lirimin e hapësirave publike e ndëshkimit të bizneseve për shkak të mos përputhjes së çmimit raft-arkë, Drejtoria për Inspekcion në Gjilan ka identifikuar një qytetar duke hedhur mbeturina në hapësirë publike.
Drejtoresha për Inspekcion, Entela Hyseni, ka thënë se aksioni është realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ku inspektorët e ambientit kanë ndëshkuar qytetarin, i cili ka hedhur mbeturinat në pronë publike.
Ajo paralajmëroi se do të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj të gjithë personave të pandërgjegjshëm, njofton Komuna e Gjilanit.
“Inspektimet do të jenë të vazhdueshme në bashkëpunim me policinë e Kosovës, në mënyrë që të identifikojmë secilin qytetar të pandërgjegjshëm dhe të merren masa ndëshkuese në përputhje me ligjet në fuqi”, është shprehur Hyseni.


