Dimri po vjen, pasi ora shkon një orë mbrapa në orën 2 të mëngjesit të së dielës, 29 tetor. Kjo do të na japë një orë më shumë gjumë ndërsa përgatitemi për muajt më të ftohtë, kur dielli perëndon më herët dhe ditët shkurtohen ndjeshëm. Ora dimërore do të jetë deri të dielën, më 31 mars 2024.
Megjithatë, debati nëse duhet të vazhdojmë të respektojmë protokollet e kohës së kursimit të ditës vazhdon të jetë ende i hapur. Shumë akademikë, shkencëtarë dhe aktivistë kanë bërë thirrje për heqjen e traditës së lëvizjes së orës, duke përmendur përmirësime në shëndetin mendor dhe fizik, sigurinë dhe mirëqenien publike. Por cilat janë avantazhet e një vendimi të tillë? Ekspertët japin një vlerësim për këtë çështje.
Aoife Foley, pedagoge në “Queen’s University Belfast”, pohon se konsumatorët familjarë mund të kursejnë më shumë se 400 paund në vit nga fatura e tyre e energjisë elektrike në varësi të tarifës, nëse qeveria anulon ndërrimin e orës në fund të tetorit. Dr. Foley, e specializuar në kërkimin e energjisë së pastër, vlerëson se ne mund të kursejmë 1,20 paund në ditë dhe reduktojmë ndjeshëm konsumin e energjisë.
“Duke hequr dorë thjesht nga ora e dimrit në tetor, ne kursejmë energji, sepse dita zgjat më shumë në mbrëmje gjatë dimrit, kështu që ne reduktojmë kërkesën elektrike komerciale dhe rezidenciale, pasi njerëzit largohen nga puna më herët dhe shkojnë në shtëpi më herët, që do të thotë se nevojitet më shumë ndriçim dhe ngrohje”,– tha ajo.
“Ne nuk jemi më në një krizë energjetike në Evropë, por në një luftë energjetike dhe, në varësi të kushteve të motit këtë dimër, ka shumë të ngjarë që mund të na duhet të fillojmë racionimin e energjisë shumë seriozisht për të shmangur çështjet më të mëdha të energjisë në dhjetor dhe janar, kur të fillojnë rezervat e gazit të mbarojë”,- shton Foley.
Ndryshimi i orës në Europë u vendos si ligj evropian në vitin 1981. Zhvendosja e akrepave në Europën Perëndimore është vendosur në fillim të viteve ‘70 me shpjegimin se me këtë “zgjatet” dita, rritet produktiviteti, përmirësohet aftësimi i njerëzve dhe dita e punës bëhet më efikase.
