Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, ka pritur në takim deputeten dhe Kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.
Duke e falënderuar znj. Kearns për vizitën, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe të saj për Republikën e Kosovës.
Në takim u theksua që prioritet kryesor për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve.
“U tha se pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje.
U bisedua për përkushtimin e plotë për zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars)”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Deputetja Kearns ka pasur takime edhe me udhëheqës të tjerë institucionalë në Kosovë. Ajo ka parë nga afër edhe armët e kapura nga Policia e Kosovës nga grupi terrorist i uniformuar i serbëve, që një pjesë ikën dhe po strehohen në Serbi.


