Policia e Kosovës ka ndal me një njoftim rreth largimit nga puna të dhëndrit të ish presidentit Hashim Thaçit, Arben Visoqi.
Përmes një njoftimi për media, policia ka bërë të ditur ka ndërprerë marrëdhënien e punës me togerin policor A.V., me detyrë në DHTQNJ në Pejë, për shkak të shkeljeve të përsëritura disiplinore.
Sipas Policisë, ndaj zyrtarit janë iniciuar gjithsej 15 raste disiplinore, 13 prej tyre në nivel qendror dhe dy në nivel rajonal. Tre raste kanë të bëjnë me shkrime dhe komente në rrjete sociale, për të cilat janë shqiptuar masa disiplinore, përfshirë ndalesa në pagë dhe, së fundmi, ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Policia ka theksuar se vendimi është marrë për shkak të vazhdimit të shkeljeve dhe veprimeve që, sipas saj, kanë dëmtuar imazhin e institucionit dhe kanë qenë në kundërshtim me rregullat disiplinore.
Palëve u është dhënë e drejta e ankesës në gjykatën kompetente. Policia ka thënë se do të vazhdojë trajtimin profesional të rasteve disiplinore ndaj zyrtarëve të saj.

