Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Masa e sigurisë ndaj tij vjen pas arrestimit të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, në lidhje me hetimet e kryera mbi privatizimin e kompleksit “Partizani”.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e hetoi Malltezin për “Pastrim parash”, pas kallëzimit të bërë nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Balla, asokohe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kallëzoi për shpërdorim detyre ish-kryeministrin Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami.
Ata akuzohen në lidhje me privatizimin e rreth 10.000 metrash katrorë të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në qendër të Tiranës, truall i cili para vitit 2012 ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Procesi i privatizimit të kompleksit nisi në vitin 2008 dhe u finalizua pas 4 vitesh, në 2012-ën.
“Euronews” ka raportuar se arrestimi i Malltezit është bërë sapo ka zbritur në Rinas teksa kthehej nga Mynihu.
Në lidhje me masat e sigurisë ish-kryeministri Berisha ka paralajmëruar konferencë të jashtëzakonshme./Euronews


