Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq nga Tirana ka përçuar mesazhe të forta sa i përket tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një konferencë të përbashkët për mediat, krah homologut shqiptar Bajram Begaj, Milanoviq tha se mund të jetë i vetmi jo shqiptar, që ka ngritur zërin në Nju Jork që Kosova të njihet.
Për Milanoviq, Evropa është e vetëdijshme për këtë fakt, por nuk e pranon, e ndërsa ka qenë jo pak i ashpër me Serbinë.
Presidenti Milanoviq tha se Serbia ka përkrahur sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të vendit, por pavarësisht kësaj nuk ka marrë përgjigjen e duhur dhe këtë reagim, presidenti kroat e cilësoi si një vendimmarrje të gabuar.
“Fakt është që ndoshta i vetmi që nuk është shqiptar dhe që e kam përmendur dhe në Nju Jork, është thirrja për të pranuar Kosovën. Për mua është fakt që tërë Evropa e di, por nuk e pranon, është e dëmshme për ne dhe për aq kohë sa koha kalon, këto pengesa bëhen më të vështira, më të ndërlikuara dhe për një vëzhgues objektiv duken gjëra të vështira për t’u duruar, shumë pak gjëra po bëhen për ta ndryshuar. Serbia ka ngecur negociatat, e ka nisur me vrull të madh, dhe ato kanë përkrahur kryengritjen e armatosur në Kosovë dhe ndaj kësaj nuk ka pasur një përgjigje të duhur”, tha Milanoviq.
Presidenti kroat tha se ndërkombëtarët duhet të ushtrojnë presion mbi Vuçiqin, pasi sanksionet nuk kanë vlerë.
Ai shtoi se Serbia dhe presidenti Aleksandër Vuçiq, i detyrohen disa përgjigje Kroacisë.
“Para dy javësh kam thënë që Serbia dhe Vuçiq na ka borxh një përgjigje, këtë e kam thënë edhe në Zagreb. Në dallim nga viti 1914 kur një i ri ka vrarë trashëgimtarin e frontit austro- hungarez dhe gruan e tij, nuk ka mundur të krijohej lidhja lidhja mes tij dhe bashkëpunëtorët në Serbi, dhe ka shkaktuar një luftë botërore. Autori kishte një armë të kontrabanduar nga Serbia. Sot kemi fakte dhe dëshmi, njerëz që i kanë përjetuar. Vuçiq nuk është përgjigjur ende. Por sanksionet nuk sjellin asgjë, që do sillnin ndryshimin e qëndrimit politik. Këto sanksione vetëm do i ndihmonin pushtetarët të mobilizojnë votuesit. Kur i them këto gjëra duket sikur po shkel veten në bisht. Vuçiq duhet të jetë nën presion për të na dhënë përgjigje. Prandaj mendoj që këto vendime nuk do i marrë Kroacia, por do t’i marrin të tjerët“, tha Milanoviq gjatë konferencës.
Nga ana tjetër, edhe presidenti shqiptar Bajram Begaj ka vlerësuar mbështetjen kroate ndaj Kosovës, duke theksuar se BE dhe NATO duhet të ndalojë qëndrimet provokuese të Serbisë.
“Nënvizova se pas aktit të Hamasit ndaj Izraelit, bëhet e domosdoshme që BE dhe NATO të dekurajojnë qasjen provokative të Serbisë ndaj Kosovës. E vlerësova mbështetjen që Kroacia i jep Kosovës. Që prej sulmit të 24 shtatorit gjërat nuk janë më si më parë dhe negociatorët duhet të kenë një qasje te re të dialogut”, tha Begaj.


