Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se si pasojë e lëndimit që sulmuesi Albion Rrahmani, ka pësuar në ndeshjen ndaj Andorrës, do t’i nënshtrohet operimit.
“Në ndeshjen e mbrëmshme Andorrë – Kosovë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, sulmuesi ynë Albion Rrahmani ka pësuar lëndim, me ç ‘rast menjëherë është dërguar për ekzaminime mjekësore në spitalin e qytetit në Andorra La Vella. Pas këtyre ekzaminimeve ka rezultuar se ai ka pësuar frakturë në kyçin e këmbës së djathtë dhe do t’i nënshtrohet operimit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Ndeshjen ndaj Andorrës Kosova e ka fituar me rezultat 3:0.
Në njoftim thuhet se të gjithë bashkëlojtarët dhe stafi i Kombëtares kanë qenë të prekur nga lëndimi i Albionit, por se presin “që ai ta kalojë sa më shpejtë periudhën e rehabilitim dhe të kthehet edhe më fuqishëm për ta treguar talentin e tij në skenën ndërkombëtare”.
“FFK është e përkushtuar që të kujdeset për shëndetin dhe mirëqenien e Albionit dhe do të bashkëpunojë ngushtë me klubin e tij Rapid Bukuresht dhe ekspertët mjekësorë për të siguruar që operacioni dhe rehabilitimi i tij të jetë sa më i suksesshëm”, thuhet në njoftim.


