Me kërkesën e mbrojtjes Ministres Rozeta Hajdari seanca po mbahet e mbyllur. Avokati mbrojtës i ministres Hajdari, Shemdi Bunjaku ka kërkuar para Gjykatës që kjo seancë të mbahet e mbyllur për publikun, për shkak se në aksident është e përfshirë një vajzë e mitur.
‘’Në bazë të ligjit për mbrojtjen e fëmijëve neni 39 par.4, kemi detyrim ligjor që kjo seancë të mbahet e mbyllur’’, tha avokati Bunjaku.
Gjyqtari i çështjes, Shaqir Mazreku aprovoi kërkesën dhe mori aktvendim për mbylljen e seancës për median dhe publikun përkitazi me Kodin e Procedurës Penale.
Gjykata, në një shqyrtim të mëparshëm më datën 08 dhjetor 2022, ka vendosur të caktojë një grup ekspertësh për të zhvilluar një super ekspertizë, pasi ekspertiza e paraqitur në gjykatë dhe ajo e prezantuar nga përfaqësuesi i të pandehurës nuk ishin të pajtueshme.
Ky vendim u mor pasi avokati i ministres Rozeta Hajdari, avokati Shemdi Bunjaku, propozoi që të zhvillohej një ekspertizë shtesë nga një grup ekspertësh, me qëllim që të verifikohej gjendja faktike reale e ngjarjes.
Në të njëjtin kontekst, mbrojtësi i të dëmtuarës, Florim Shefqeti, shprehu që ekspertiza e propozuar nga pala e pandehur ishte e ndryshme nga ajo që ishte prezantuar dhe kërkoi që të mos konsiderohej e njëjtë.
Procedura për kundërvajtje ndaj ministres Hajdari është filluar nga stacioni policor, në veçanti nga njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor. KosovaNews të shtunën publikoi videon ekskluzive të aksidentit të ndodhur më datën 10 prill 2022, në orën 12:25, në lagjen Arbëria të Prishtinës, ku një vajzë e mitur u aksidentua.


