Mbrojtja e Rexhep Selimit, sa i përket orarit të seancave që do të mbahen kur të fillojë gjykimi kanë parashtruar disa parime, të cilat sipas tyre, duhet të ndiqen.
Ata thonë se orari duhet të lejojë paraqitjen më efektive dhe efikase të provave dhe një mundësi të drejtë për palën kundërshtare për të kundërshtuar këto prova.
Sipas mbrojtjes së Selimit, çdo orar duhet të respektojë plotësisht të drejtën e një të akuzuari, veçanërisht të paraburgosurit, për një gjykim të shpejtë, duke njohur njëkohësisht të drejtat për kohën dhe lehtësitë e duhura për të përgatitur dhe paraqitur çështjen e tij.
Tutje, thonë se ditët pa seanca nuk janë “ditë pushimi”, por janë të nevojshme për të qenë në gjendje të kryejnë me efektivitet tërësinë e punës jashtëgjyqësore, por njoftimi paraprak i orarit të gjykimit është thelbësor për t’i lejuar palët të përdorin siç duhet periudhat kur nuk ka seanca.
“Fleksibiliteti nëpërmjet seancave të herëpashershme të zgjatura ose ditëve shtesë të seancave për të përfunduar dëshminë e një dëshmitari rrethanat e jashtëzakonshme mund të ndihmojnë në çuarjen përpara të procedurës”, thonë ata.
Sipas tyre, gjykata duhet të përdoret vetëm për veprimtari gjyqësore.
“Leximi i përmbledhjeve të provave ose dokumenteve të pranuara me shkrim, siç ka ndodhur në gjykata të tjera, nuk është një përdorim efektiv i kohës së gjykatës”, ka parashtruar mbrojtja e Selimit.
Kurse në parashtresën drejtuar gjykatësit të procedurës paraprake lidhur me parashtrimet për konferencën e 13-të, mbrojtja e Jakup Krasniqit ka propozuar që kur të fillojë gjykimi seancat të zhvillohen katër herë në javë.
Në këtë parashtresë, thuhet se për qëllime të planifikimit, mbrojtja nuk beson se është realiste të parashikohet që të ketë seanca pesë herë në javë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Do të nevojitet kohë për përgatitje gjatë procesit të gjykimit, jo më pak për shkak të nevojës për të hetuar dhe përgatitur për provat e një numri të konsiderueshëm dëshmitarësh të zbulimit të vonuar, identiteti i të cilëve do të zbulohet 30 ditë përpara gjykimit ose gjatë gjykimit. Përvoja tregon se mocionet me shkrim do të dorëzohen shpesh gjatë gjykimit dhe do të kërkojnë kohë që palët dhe pjesëmarrësit të përgatiten dhe të përgjigjen, dhe që Paneli të vendosë”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes.
Prandaj, thuhet se mbrojtja propozon paraprakisht që orari i gjykimit duhet të caktohet në 4 ditë seanca në javë, nga e hëna në të enjte, me të premten të jetë një ditë pa seancë dhe me një numër të caktuar ditësh shtesë në muaj të përcaktuara si ditë pa seanca.
Sikurse mbrojtja e Jakup Krasniqit, edhe mbrojtja e Hashim Thaçit e Kadri Veselit kanë propozuar që kur të fillojë gjykimi, seancat të mbahen katër herë në javë.
“Mbrojtja parashikon të ulet për një maksimum katër ditë të plota në javë, për blloqe 4-javore, e ndjekur nga një pushim njëjavor. Ky plan do t’i sigurojë mbrojtjes kohën që i nevojitet klientit dhe avokatit për t’u konsultuar mbi provat kur ato dalin në gjyq; dhe për hetime të mëtejshme të nevojshme nga shkalla e çështjes që do të kryhen”, thuhet në shkresën e mbrojtjes së Veselit.
Ndërsa, në shkresë të mbrojtjes së Thaçit thuhet se për hir të efikasitetit, mbrojtja propozon që të mbahen seanca katër herë në javë, në orarin e rregullt të gjykatës.


