Partia më e madhe serbe në Kosovës, Lista Serbe deri më tani nuk ka reaguar lidhur me sulmin terrorist që u bë nga një grup i serbëve të uniformuar ndaj Policisë së Kosovës në veri, ku mbeti i vrarë një polic dhe tre të tjerë u plagosën.
Përkundër thirrjeve edhe nga diplomatë perëndimore për dënim të këtij sulmi vrastar, Lista Serbe ka heshtur, por me veprimin e sotëm ka treguar lidhjen e saj me grupin terrorist.
Lista Serbe ka deklaruar tri ditë zie për vdekjen e tre sulmuesve serbë të cilët u vranë në Banjskë pasi sulmuan Policinë e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Lista Serbe e ka quajtur ngjarjen tragjike.
Sipas njoftimit, “në mjediset serbe në territorin e Kosovës do të anulohen të gjitha ngjarjet argëtuese të organizuara nga organet dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale dhe flamujt e Republikës së Serbisë në të gjitha institucionet do të ulen në gjysmështizë”.
“Në emër të Listës Serbe dhe popullit serb nga Kosova.M, i shprehim ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave, ndërsa të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë”, ka thënë LS-ja.
Të dielën nga sulmuesit serbë është vrarë një polic i Kosovës dhe janë plagosur tre të tjerë, njëri nga ta me armë zjarri.
Ndaj Listës Serbe dje ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovës, Jorn Rohde.
Ai në një postim në platformën “X” ka shkruar se kur Lista Serbe do ta ndalë këtë heshtje.
“Si e gjithë bota përfshirë edhe Kishën Ortodokse Serbe, janë të tronditur dhe dënuan ngjarjen e djeshme: Pyes veten nëse edhe Lista Serbe do ta ndalë heshtjen dhe do të na bashkohet të gjithëve në qëndrimin tonë të qartë kundër këtij sulmi vrastar ndaj Policisë së Kosovës”, ka shkruar Rohde.
Ndërkaq Policia e Kosovës pas këtij akti ka ndërmarrë një aksion të madh dhe ka shpartalluar grupin terrorist serb. Pasi terroristët nuk janë dorëzuar gjatë shkëmbimit të zjarrit Policia e Kosovës i ka vrarë së paku tre prej tyre, disa i ka plagosur dhe arrestuar, kurse disa kanë ikur dhe po trajtojnë plagët në Novi Pazar të Serbisë.
Pas aksionit, policia ka kryer kontroll më të detajuar në vendngjarje dhe ka gjetur e konfiskuar një arsenal të madh të armëve, uniformave dhe pajisjeve logjistike.
