Sot, gjatë ditës, MASHTI e ka emëruar u.d. i drejtorit të Qendrës së Studentëve Ekrem Rudarin, i cili deri më tani ka qenë drejtor i Sallës 1 Tetori.
Emërimi i Rudarit erdhi pas vendimit të marrë nga ministrja e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, për shkarkimin e drejtorit të Qendrës së Studentëve – Fatmir Sfishta.
Vendimi për shkarkimin e tij është marrë me arsyetimin se janë zbuluar shkelje të rënda të dispozitave ligjore në lidhje me emërimin dhe kohëzgjatjen e marrëdhënies së punës.
Në vendimin për shkarkim thuhet se Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në opinionin ligjor ka gjetje se emërimi i Sfishtës me afat të pakufizuar në vitin 2012 ka shkelje të dispozitave ligjore.
“Më datën 01.08.2023 DMZP ka dhënë opinion ligjor përmes shkresës me nr.860, me të cilin ka konstatuar se Akt emërimi i dt.21.06.2012, i z. Fatmir Sfishta në pozitën e Drejtorit të përgjithshëm të Qendrës së Studentëve në MASHTI është i kundërligjshëm. Gjithashtu, ka konstatuar se është përgjegjësi e MASHTI-t të ndërmarrë veprime dhe masa të nevojshme për vendosjen e ligjshmërisë për rastin e pozitës së Drejtorit të përgjithshëm të Qendrës së Studentëve, sepse Ligji nr.03/L-149 për Shërbimin Civil të Kosovës dhe Ligji nr.06/L -114 për Zyrtarët Publik, nuk parashohin që kjo pozitë ta ketë mandatin e përhershëm me kohëzgjatje të pacaktuar.
Në dokument thuhet se akt-emërimi ishte nënshkruar nga sekretari i atëhershëm i Ministrisë së Arsimit, Xhavit Dakaj, më datë 21.06.2012.
Përveç Sfishtës, janë marrë vendime edhe për drejtorin e Institutit Pedagogjik të Kosovës – Nezir Çoçaj, si dhe drejtorin e Inspektoratit në MASHTI – Defrim Gashi.
Ditët në vazhdim, priten emërimet e ud edhe në Institutin Pedagogjik të Kosovës dhe në Inspektoratin e Arsimit në MASHTI.


