Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se do të kishte dëshirë që tenistin serb Novak Gjokoviq ta shpallte “Qytetar nderi” të Malit të Zi, nëse Gjokoviq do ta pranonte këtë.
Abazoviq ka thënë se ka respekt për familjen e Gjokoviqit.
“Jemi në kontakt, jemi takuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Vërtetë, ai përkrahu Milanin e unë Interin, isha më me fat. Epo, edhe Novaku nuk mund të fitojë gjithmonë në gjithçka. Në përgjithësi, unë personalisht do të doja, nëse kjo është edhe dëshira e tij, që ai të bëhet ‘Qytetar nderi’. Sigurisht që këtu nuk ka presion, është çështje vullneti, ai edhe pa këtë është po aq i mirëpritur. Dhe jo vetëm ai, por kushdo që realisht meriton dhe mund të jetë promotor i vendit tonë, Malit të Zi”, ka thënë Abazoviq në intervistë për “Nova.rs”.
Gjokoviq njihet për deklaratat e tij nacionaliste karshi Kosovës.
Gjokoviq në qershor gjatë Grand Slamit “French Open” kishte shkruar në kamerë “Kosova është zemra e Serbisë. Ndaloni dhunën”.


