Më pak se 7 mijë maturantë në të gjithë vendin i janë nënshtruar afatit të dytë të testit të maturës. Edhe në Prishtinë, 91 nxënës të Shkollës së Mesme Teknike “28 Nëntori” i janë nënshtruar provimit për vlerësim të arritjeve, njohurive, shkathtësive dhe aftësive të cilat i kanë fituar gjatë arsimimit të tyre parauniversitar.
Për mbarëvajtjen e procesit në këtë shkollë ishin të angazhuar vëzhgues dhe administrues nga Fushë Kosova, po ashtu të përfshirë kanë qenë edhe monitorues nga Universiteti i Prishtinës.
Pas përfundimit të testit, drejtoresha e shkollës “28 Nëntori”, Zyrafete Kafexholli, deklaroi se procesi i testit të maturës ka përfunduar në mënyrë të rregullt.
“Gjithsej në këtë afat, në afatin e gushtit, kanë qenë 91 maturantë, të tjerët e kanë dhënë në afatin parë, procesi ka shkuar në rregull ka filluar me kohë, ka përfunduar me kohë. Kanë qenë vëzhgues dhe monitorues nga universitete dhe administrues nga Fushë Kosova, gjithkush ka qenë në vendin e vet të punës me përgjegjësi të plotë. Edhe tash kemi mbajtur orë shtesë, janë mbajtur orë shtesë edhe gjatë qershorit nxënësit kanë qenë të përgatitur dhe unë shpresoj që edhe këtë afat ta kalojnë të gjithë” tha Kafexholli për KP.
Lirim Isufi, monitorues i testit në shkollën “28 Nëntori”, tha se nuk ka pasur asnjë të përjashtuar nga nxënësit për shkak të përdorimit të telefonave ndërsa procesin e vlerësoi të rregullt.
“Procesi ka filluar mirë, kam qenë monitorues edhe në testimin e parë tash edhe në të dytin. Testimi ka filluar me kohë, nuk kemi pas probleme, nuk ka pasur përdorim të telefonave as largim të nxënësve, çdo gjë ka shkuar ne rregull…. kanë mundur të jenë më mirë edhe kanë mundur të bëjnë më shumë, shpresoj që po, nuk besoj shumë se në bazë të mënyrës së pyetjeve që i formuluan, ka qenë njëfarë treguesi se niveli i përgatitjes lë shumë për të dëshiruar”, tha Isufi
Pragu i kalueshmërisë në Provimin e Maturës Shtetërore është 40% e totalit të pikëve të mundshme. Vetëm kandidatët që e arrijnë këtë prag kalueshmërie mund të aplikojnë për regjistrim në studime në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.


