Fermeri Bedri Ajupi nga fshati Zym i Opojës ka përfituar grantin prej 100 mijë euro.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Bujqësisë, Faton Peci, duke thënë se meritokracia është “kryefjala” e Qeverisë.
“Ai mbarështon 35 krerë gjithsej, 25 prej tyre lopë qumshtore dhe 10 viça për majmëri. Përmes këtij investimi, ai ka mundësi që ta zgjerojë dhe t’i ngrisë kapacitetet e veprimtarisë së tij blegtorale”, ka shkruar ministri i Bujqësisë.
Ai ka treguar se 5 milionë euro do të jetë vlera që do t’i kushtojmë Fondit Blegtoral përmes Programit për Zhvillim Rural 2023.
Ministri Peci ka shtuar se investimi në blegtori i kontribuon një zinxhiri vlerash në ekonominë rrethore, “sidomos për zonën e Dragashit, pasi edhe djathi i Sharrit si produkt final është karakteristikë e kësaj zone”.



