Policia e Kosovës njofton se tashmë ka arrestuar edhe personin e dytë për grabitjen e 770 eurove nga një postier në muajin mars të këtij viti në Bablak të Ferizajt, raporton KosovaNews
Me datën 22.03.2023 rreth orës 19:10 policia rajonale e Ferizajt kishte pranuar një informacion, se në fshatin Bablak të Ferizajt ishte një rast i grabitjes së armatosur.
Fillimisht policët e rendit, e më pas krimteknikët dhe hetuesit rajonal kanë ndalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim te prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kishin nisur hetimet.
Nga hetimet e para dyshohej se tre persona nën kërcënimin e armës kanë ndaluar një veturë të postës së shpejtë dhe kanë grabitur para në vlerë prej 770 eurove dhe janë larguar në drejtim të panjohur.
Hetuesit rajonal pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, kanë siguruar prova të mjaftueshme dhe kanë identifikuar të dyshuarin e dytë G.I ( M/K ) i moshës 33- vjeçar, i cili me datën 15.08.2023 rreth orës 20:30 është arrestuar në Ferizaj me dyshimin se ka kryer grabitjen.
Bëhet e ditur se i dyshuari është shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve dhe pas intervistimit nga policët hetues, në prani edhe të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura tjera hetimore, ndërsa në kërkim policor mbetet edhe personi i tretë, tashmë i njohur për policinë.
Kujtojmë se kjo grabitje ka ndodhur në Bablak, vendbanim ky krejt afër magjistrales Prishtinë-Ferizaj.
Viktima mashkull kosovar kishte raportuar se derisa ka qenë duke u kthyer në shtëpi me veturë, fillimisht është goditur nga një veturë e më pas nga ajo veturë kanë dalë katër (4) të dyshuar, ku tre (3) prej tyre kanë qenë të armatosur me AK 47. Të dyshuarit viktimës ia kanë marrë 770 euro./KosovaNews


