Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë edhe sot vazhdon gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, me dëshminë e dëshmitarit të ZPS-së.
Dje, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka përfunduar seanca duke qenë gjatë tërë kohës në sesion të mbyllur për mediat dhe publikun.
Gjatës kësaj seance, dëshmitari i 16-të, me kodin 03879, ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Selimit, konkretisht avokatit Geeoffrey Roberts.
Ky dëshmitar ka filluar dëshminë e tij në seancën e së hënës, ku pjesën më të madhe të kohës seanca është zhvilluar në sesion privat.
Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale për të cilat po akuzohen.


