Administrata Tatimore e Kosovës, ka njoftuar se do të verifikojë mallrat pa origjinë, derisa ka bërë të ditur se secili nga tatimpaguesit duhet të dokumentojë të gjitha mallrat që nga koha e pranimit qoftë nga importimi, blerja, shkëmbimi apo edhe mënyra të tjera, deri sa ato të shiten apo të jenë sistemuar.
Aktivitetet e ATK-së thuhet se në vazhdimësi do të përqendrohen pikërisht te tatimpaguesit, të cilët posedojnë mallra pa origjinë.
“Administrata Tatimore e Kosovës, rikujton të gjithë tatimpaguesit se në bazë të Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, kërkohet dokumentimi i origjinës së mallit dhe në vazhdimësi do të përqendrohet pikërisht te tatimpaguesit, të cilët posedojnë mallra pa origjinë. Secili tatimpagues duhet të ofrojë dokumentacionin mbështetës, i cili arsyeton prejardhjen e mallit si në vendndodhjen, apo vendndodhjet e tatimpaguesit, ashtu edhe për mallrat në qarkullim jashtë vendndodhjes së tatimpaguesit”, thuhet në njoftim.
Përmes këtij njoftimi, ATK-ja ka inkurajuar të gjithë tatimpaguesit, që t’u përgjigjen detyrimeve tatimore, ngase me kryerjen e tyre, ata kontribuojnë direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenies shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore.


