Ejup Maqedonci ka lëshuar një deklaratë pas emërimit në pozitën e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se këtë përgjegjësi e ka pranuar me kënaqësi pasi sipas tij tërë jetën ia kishte kushtuar themelimit të Ushtrisë së Kosovës.
“Jam i nderuar dhe i privilegjuar të vihem në krye të dikasterit qeveritar që i bën politikat e mbrojtjes dhe të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, trashëgimtares së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga 18 marsi i vitit 1998 kur e kam veshur uniformën e UÇK-së dhe deri më 10 korrik 2023 kur jam demobilizuar nga FSK-ja, jam përpjekur me tërë kapacitetet dhe qenien time fillimisht për lirinë e Kosovës dhe deri sot për ndërtimin e ushtrisë së saj”, ka deklaruar ministri i ri.
Tutje ai ka thënë se në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës ndihet si në shtëpinë e tij.
“Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës jam në shtëpinë time, andaj ishte aq i natyrshëm pranim dorëzimi i detyrës sot në mesditë nga ish-Ministri Armend Mehaj në prani të Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharit. E falënderoj ish-Ministrin Mehaj për bashkëpunimin veçanërisht në periudhën e fundit”.
“Pas 25 vitesh me uniformë, nga sot ka nisur një kapitull i ri për mua si ushtarak, por që mbetet brenda të njëjtës shtëpi dhe me të njëjtat synime: forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimin e shtetit tonë në NATO, krah partnerëve tanë dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar Maqedonci.
Ai ka përfunduar duke falënderuar kryeministrin Albin Kurtin, me Komandantin Bashkim Jasharin dhe me institucionet e Republikës së Kosovës.


