Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë sot se aksioni i sotëm policor në Mitrovicën e Veriut dëshmon tri fakte.
Ai tha se aksioni dëshmon për sulmet që janë kryer në veri të vendit ndaj zyrtarëve policorë, qytetarëve dhe gazetarëve.
Sveçla u shpreh se ky aksion dëshmon arsyet pse regjimi “i Aleksandar Vuçiqit dhe argatët e tij kundërshtojnë faturimin dhe pagesën e energjisë së shpenzuar në veri”.
Pas informacioneve të pranuara, sot në Mitrovicën e Veriut, u krye i suksesshëm një aksion nga Policia e Kosovës në një banesë në rrugën e Kolashinit, saktësisht në katin 11 tek tre rrokaqiejt.
Në banesë janë gjetur dhe konfiskuar 60 kartela grafike, makina antiminer S9, 13 ventilatorë, poça elektrikë që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llampë elektrike për laborator, municion 51 fishekë dhe 8 mjete shpërthyese të improvizuara.


