Disa dhjetëra gazetarë dhe përfaqësues të disa medieve protestuan të hënën në përkrahje të televizionit Klan Kosova në Prishtinë, pas vendimit të Ministrisë së Industrisë për t’ia pezulluar licencën e biznesit këtij televizioni javën e kaluar.
E krahas protestueseve që bartën një banerë të gjerë në dorë, me mbishkrimin “Demokracia vdes në errësirë”, pati edhe qytetarë që iu bashkuan protestës.
Pas marshimit nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe arritjes te ai “Skënderbeu” në kryeqytet, në shkallët e Teatrit Kombëtar, disa qytetarë kanë shfaqur një banerë me mbishkrimin “Mirë se vini në Republikën e Kosovës”, kjo si përgjigje pasi biznesi për të cilin protestohej (Klan Kosova) i kishte paraqitur në fletëregjistrime qytetet e Kosovës, si të Serbisë.

Ndërkaq në protestën e gazetarëve sot mori pjesë edhe një qytetar, i cili kishte shkruar edhe parullën: GJAKOVË, KOSOVË dhe PEJË, KOSOVË, kurse me një X të madh mbi: ĐJAKOVICA, SRBIJA dhe PEČ, SRBIJA.
Kjo parullë në të cilën theksohej se qytetet si Peja e Gjakova janë pjesë në Kosovës nuk është pëlqyer nga protestuesit dhe sipas qytetarit ajo është shqyer dhe nuk është lejuar të vazhdojë të jetë bashkë me protestuesit e tjerë.
“Si duket disave nuk iu pëlqeu fjala ime e lirë dhe një gazetare ma mori parullën nga dora dhe e shqeu atë. Pra, fjala e lirë nuk po i pëlqen këtyre që po thirrin për “fjalë të lirë””, ka shkruar në rrjetin social qytetari Erion Beqiraj, i cili ka i është bashkuar për pak kohë protestës.

Ndërkohë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar të hënën se ua kanë shfuqizuar certifikatat edhe pesë bizneseve të tjera, të cilat sipas saj, kanë emërtim kundërkushtetues.
Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të MINT-it që nga 6 korriku ka nisur riverifikimin e dosjeve të bizneseve të regjistruara.
Mes 660 dosjeve të rishqyrtuara, 48 sosh kanë rezultuar me emërtime kundërkushtetuese, duke e paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë, sipas njoftimit të ministres Hajdari.
Menjëherë pas pranimit të raportit të Komisionit, “ARBK-ja ka filluar sot hapat administrativ të parashikuar me ligj, duke nxjerrë vendime për shfuqizimin e certifikatave të 5 bizneseve, në mes të 48 prej tyre me emërtime antikushtetuese”.


