Disa dhjetëra gazetarë dhe përfaqësues të disa medieve protestuan të hënën në përkrahje të televizionit Klan Kosova në Prishtinë, pas vendimit të Ministrisë së Industrisë për t’ia pezulluar licencën e biznesit këtij televizioni javën e kaluar.
Në protestën e gazetarëve sot mori pjesë edhe një qytetar, i cili kishte shkruar edhe parullën: GJAKOVË, KOSOVË dhe PEJË, KOSOVË, kurse me një X të madh mbi: ĐJAKOVICA, SRBIJA dhe PEČ, SRBIJA.
Kjo parullë në të cilën theksohet se qytetet si Peja e Gjakova janë pjesë në Kosovës nuk është pëlqyer nga protestuesit dhe sipas qytetarit ajo është shqyer dhe nuk është lejuar të vazhdojë të jetë bashkë me protestuesit e tjerë.
“Si duket disave nuk iu pëlqeu fjala ime e lirë dhe një gazetare ma mori parullën nga dora dhe e shqeu atë. Pra, fjala e lirë nuk po i pëlqen këtyre që po thirrin për “fjalë të lirë””, ka shkruar në rrjetin social qytetari Erion Beqiraj, i cili ka i është bashkuar për pak kohë protestës.


