Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në mbledhjen e saj, sot, është takuar me Bordin dhe Drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ku ka shqyrtuar punën, sfidat dhe planet e Bordit dhe Drejtorit të SHSKUK-së.
Naim Bardiqi, kryesues i Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor, Klinik e Universitar të Kosovës, (ShSKUK), tha se Bordi tani mbledhjet i mbanë të hapura dhe marrin pjesë edhe persona nga organizatat e shoqërisë civile.
“Është miratuar raporti i punës dhe ai financiar, janë nxjerrë shumë vendime, rëndësi të veçantë i kemi kushtuar rekomandimeve të dala nda auditori dhe bashkëpunimi me ekspertë ndërkombëtarë, që është një nga synimet tona”, tha Bardiqi.
Sipas tij, synimi është ngritja e performancës, sigurimi i shtretërve, stabilizimi dhe furnizimi me barna nga lista esenciale dhe shkurtimi i listës së pritjes së pacientëve.
Kurse Elvir Azizi, drejtor i SHSKUK-së, i cili e ka marrë detyrën para 8 ditësh, tha se gjatë kësaj periudhe kohore, ka vërejtur që njëra prej sfidave është menaxhimi i QKUK-së, furnizimi me barna dhe materiale të tjera shpenzuese, mungesa e dokumentacionit të brendshëm, që, sipas tij, nuk ka protokolle.
Sipas Azizit, infrastruktura është e vjetëruar dhe janë mbrapa në shërbimet e digjitalizimit.
“Furnizimi është problematik, jemi të vetëdijshëm që ka ngecje në furnizim, lista esenciale është aprovuar nga MSH-ja, por ende nuk ka arritur në spitale. Sigurimi i cilësisë për mua është një qëllim tjetër. Mungojnë udhëzimet se si stafi duhet të sillet në situata të caktuara, ka edhe mungesë të higjienës”, tha Azizi.
Sipas tij, infrastruktura është shumë e vjetërsuar, teksa ai premton se sallat e operacionit do të kenë një qasje të veçantë gjatë misionit të tij.
Fatmire Kollçaku, pati një sër vërejtjesh, duke përmendur listat e pritjes, derisa ka kërkuar që ato të shkurtohen. Pastaj problemin e anesteziologëve, funksionimin e konsultimeve. Ajo kërkoi transparencë në konkurse, çka, sipas saj, është premtuar më parë.
Kurse Armend Zemaj tha se gjatë 30 muajve të kësaj qeverie, ndërkohë që vuri në pah se ky është drejtori i katërt dhe që u shpreh se do ta mbajë për fjale, duke shpresuar se diçka do të lëvizë pozitivisht.
“E kemi pa një dëshirë të flaktë të këtij pushteti për kontroll, duke marrë parasysh për vendosjen e sekretarit, duke marrë parasysh që Ministria në baza ditore ka angazhime. Mungesa e barnave, është fatkeqësi. Ka mungesë të barnave, listat e pritjes në të gjitha klinikat, janë të gjata”, tha, Zemaj.