Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar festën e Kurban Bajramit.
Konjufca ka uruar që festa t’i gjejë qytetarët më afër njëri-tjetrit, me begati, gëzim e paqe.
“Festa e Kurban Bajramit e risjell në vëmendje sakrificën dhe përkushtimin për të bërë vepra të mira, falë fuqisë së besimit që na bën të tejkalojmë vetveten. Urojmë që ky Kurban Bajram t’i gjejë të gjithë sa më mirë, me frymën e përkushtimit ndaj njëri-tjetrit, të vëmendshëm ndaj atyre që më së shumti kanë nevojë, e me këmbëngulje për një shoqëri që ecën përpara me të gjithë pjesëtarët e saj, pa lënë askënd pas.
“Po ashtu, dëshiroj t’iu uroj besimtarëve gëzim, paqe dhe begati. Le të sjell kjo festë shëndet, mirëqenie, harmoni e lumturi për ju dhe familjet tuaja dhe le të na bashkojë të gjithëve me dashuri, solidaritet e mirësi”, ka shkruar ai.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca sot ka vizituar edhe Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Pas takimit me myftiun Naim Tërnava, ai ka thënë se Kurban Bajrami është festës e mirësisë dhe sakrificës e cila na bashkon, njofton Klan Kosova.
“E shfrytëzoj rastin që në emër të Kuvendit,myftiut Naim Tërnava, popullit të Kosovës dhe të gjithë besimtarëve myslimanë të ua uroj festën. Është me të vërtetë një festë e cila na bashkon, festë e mirësisë, sakrificës, që na e kujton se sa i rëndësishëm është solidariteti, sa të rëndësishme janë porositë hyjnore për kujdes dhe dashuri”, ka thënë Konjufca.
Më këtë rast, ai ka falënderuar BIK-un për rolin pozitiv në shoqërinë kosovare.



