Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lirimin e tre policëve të kidnapuar nga Serbia.
Këto deklarata i ka bërë në konferencën për media me guvernatoren e shtetit të Iowas, Kim Reynolds.
Ajo ka thënë se Serbia po i mbante të kidnapuar policët e Kosovës.
“Më lejoni të shpreh falënderimet për gjithë punën që ka bërë ShBA-ja për lirimin e tre policëve të Kosovës të cilët po mbaheshin të kidnapuar”, ka thënë ajo.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas lirimit të tre policëve të Kosovës nga Serbia.
Përmes një postimi në Twitter ka shkruar se e konfirmon se tre policët e rrëmbyer janë liruar.
Ai ka thënë se edhe pse janë të gëzuar që po kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe duhet të qortohet.
Ka shtuar se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi.
“Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”, ka shkruar ai.
Lirimin e tre policëve të cilët ishin rrëmbyer nga Serbia e ka konfirmuar tashmë edhe Fatmir Haxholli – sekretar i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, i cili ka publikuar një fotografi me tre policët kosovarë që tashmë janë të liruar.
“Më në fund!”, ka shkruar Haxholli në fotografinë e publikuar.
Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi, ishin kidnapuar më 14 qershor.
Policia derisa kishte konfirmuar kidnapimin e tyre nga forcat serbe kishte thënë se “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.
Rrëmbimi i tre policëve ka nxitur reagime të shumta në vend, ku u kërkua lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte.
Lirimin e tre policëve e kanë kërkuar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


