Studentët shqiptarë nga Shqipëria e Kosova të cilët po punojnë punë sezonale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë marrë një befasi të bukur. Ata kanë takuar nga afër ish-presidentin amerikan George W. Bush.
Bush kishte ndaluar në një nga restorantet e preferuara të tij, “The Clam Shack”, në Kennebunk, Maine.
Aty studentët po punonin si pjesë e programit të Programit Veror të Punës dhe Udhëtimit të Departamentit të Shtetit.
Studentët patën mundësinë që në grup ta bëjnë edhe një fotografi me ish-presidentin.
Bush mbahet mend për deklaratën historike që pati dhënë në vitin 2007 gjatë vizitës së tij në Tiranë. Ajo deklaratë konsiderohet si momenti kur u paralajmërua pavarësia e Kosovës.
“Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi ‘Mjaft më!’, Kosova është e pavarur!”, pati thënë ai.
Vetëm tetë muaj më vonë, më 17 shkurt 2008, Kosova kishte shpallur pavarësinë.


